Historia e lajmeve botërore

Ambasadori thërret për progres ndaj korrupsionit në Kosovë

Ruairí O’Connell flet gjatw prezentimit tw raportit tw IKD ´Luftw, persekutim apo amnisti nw emwr tw luftws kundwr korrupsionit. Vetingu- zgjidhje?´

Kjo u botua nën 2016 to 2019 May Conservative government
Ruairí O’Connell speaks at the roundtable

I nderuar z. Tahiri, E nderuara znj. Haxhiu, I nderuar z. Isufaj, I nderuar z. Idrizi, I nderuar z. Musliu,

Të nderuar Kryetarë të Gjykatave, Kryeprokurorë, gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues të institucioneve publike, përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile dhe ju të gjithë të pranishëm.

Takohemi sërish në këtë tryezë për të folur për sfidat që rrezikojnë të ardhmen e Kosovës. Kosova nuk ka sfidë më të madhe se sa luftimin e korrupsionit - sidomos korrupsionit të nivelit të lartë.

Unë s’kam nevojë të ju shpjegoj se pse korrupsioni është i keq për Kosovën. Ju të gjithë e dini që ky fenomen e shkatërron demokracinë dhe parandalon çdo zhvillim ekonomik dhe nënçmon shtetin për të cilin shumë njerëz dhanë sakrificë. Edhe ne na bën per këtë vend shumë, jo vetëm për shkak së unë e dua këtë vend. Por gjithashtu, sepse e di që Britania ka nevojë për një Kosovë të fortë dhe të zhvilluar.

Korrupsioni nuk është dukuri vetëm në Kosovë. Kosovarët si komb nuk janë më të korruptuar se të tjerët. Kjo është e qartë. Në fakt, mbaj mend një ushtar Britanik që më pat treguar se sa i impresionuar ishte kur në një treg të ngarkuar në Prishtinë një qytetar ju afrua për t’ia kthyer pesë euro që i kishin rënë. Kosovarët janë njerëz të ndershëm e të sinqertë. Luftimi i korrupsionit është temë globale. Me epokën e globalizimit, korrupsioni nuk mund të shihet si dukuri e brendshme e shteteve.

Kur jeton në një vend ku kriminelët veprojnë pa u ndëshkuar për veprat e tyre, kjo krijon kulturën që korrupsioni të jetë i pranueshëm. Kur sheh shumë raste kur ka pas dëshmi dhe individ të caktuar janë dënuar për korrupsion, por dënimi ka qenë shumë i butë, kjo krijon përshtypje që nuk ka vullnet për të luftuar korrupsionin.

Nëse shteti lejon që korrupsioni të kap sistemin e drejtësisë, kjo do të ndikojë që ky shtet të bëhet strehim i krimit të organizuar. Ky krim i organizuar na lëndon neve, ashtu siç ju lëndon edhe juve. Asnjë nga shoqëritë tona madhështore nuk mund ta tolerojnë këtë. Prandaj, ne kemi nevojë që ta kemi Kosovën partner të mirëfilltë.

Dhe si miq dhe partnerë tuaj, ne kemi të drejtën të pyesim: Ku janë rezultatet konkrete? Me keqardhje më duhet ta them prap, rezultatet mungojnë! Nuk ka asnje person të profilit të lartë të dënuar me burgim efektiv për shkak të korrupsionit. Shumë zhurmë bëhet në fillim dhe në fund të gjithë lirohen ose marrin dënime të buta. Këtë vit, nga tre aktakuzat e ngritura për profil të lartë, dy prej tyre kanë dështuar. Ku mbetet llogaridhënia?

Kjo po ndikon në vazhdimësi tek ulja e besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë. Kjo është sa e dëmshme për shtetin e Kosovës, aq edhe e rrezikshme. Por ne jemi të vetëdishëm që ka prokurorë dhe gjyqtarë trima, të guximshëm, të përkushtuar, të cilët e kryejnë punën e tyre me nder dhe luftojnë korrupsionin. Por sic shihet, nuk janë të mjaftueshëm.

Gjatë gjithë këtij viti, ne, bashkë me partnerët tjerë ndërkombëtarë, kemi ngritur shqetësimet e bazuara në rekrutimin e gjyqtarëve dhe emërimin e kryetarëve të gjykatave. Këshilli Gjyqësor i Kosovës bëri disa ndryshime procedurale. Dhe kjo është e mirëseardhur. Por shqetësimet tona më të rëndësishme lidhur me transparencën e emërimit të Kryetarëve të Gjykatave u injoruan nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Probleme të ngjashme ka pasur edhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ku ka pasur kritika për emërime jomeritore. Në situata të tilla, është e vështirë që të argumentohet se Kosova është e përkushtuar për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

Megjithatë, ne nuk duam të heqim dorë. Dhe kjo është arsyeja që kohët e fundit shumë ministra dhe zyrtarë të lartë Britanik kanë vizituar Kosovën. Letra e Kryeministres Britanike, Theresa May, drejtuar kryeministrit tuaj, Ramush Haradinaj ka qenë e qartë. Për shkak se jemi të interesuar, Kosova mund të mbështetet me përkushtimin dhe angazhimin e shtetit Britanik në mbështetjen dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Por në të njejtën kohë, është kërkesë e direkte që Kosova të filloj të fuqizojë strukturat dhe mekanizmat e saj në luftimin e dukurive negative.

Kosova ka nevojë të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të pastër, meritor, profesionist, të pavarur e të ndershëm. Ju e dini projektin tonë me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës përmes të cilit synohet të luftohet nepotizmi, korrupsioni dhe klientelizmi. Jemi të gatshëm që një gjë të tillë ta bëjmë edhe me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial në procesin e rekrutimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve; por edhe të Kryetarëve të Gjykatave dhe Kryeprokurorëve.

Jam i bindur që gjithë ata gjyqtarë, prokurorë dhe policë të ndershëm janë të gatshëm që edhe Kosova të filloj sa më shpejt procesin e verifikimit të detajuar të kaluarës së tyre. Pra, vetingun. Jam kurreshtar të dëgjoj sot këndvështrimet tuaja në këtë drejtim.

Në anën tjetër, ne jemi duke mbështetur Ministrinë e Drejtësisë me katër ekspertë lokal të cilët janë duke punuar në pakon e ligjeve të gjyqësorit, rishikimin funksional të sistemit të drejtësisë, kodin civil, funksionalizimin e mëtejmë të Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Avokaturën Shtetërore. Ne jemi të lumtur të bashkëpunojmë me Ministrinë pasi që shpresojmë se ka vullnet politik të bëj reforma të vërteta.

Nuk dua ta lë pa përmendur gatishmërinë e Qeverisë për ta rritur buxhetin e gjyqësorit. Ky është hap për t’u lavdëruar. Por shpresoj që numri i shtuar i stafit nga të dy Këshillat të shërbejë në ngritjen e efikasitetit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Uroj dhe shpresoj që në tryezën e radhës të diskutojmë përpjekjet dhe rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit. Do ta përsëris në çdo tryezë: Luftimi i korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë prioritetet numër një të Ambasadës Britanike në Kosovë.

Ju falenderoj,

Publikuar 22 December 2017