Guidance

Notice of rights and entitlements Albanian (PACE Code C) (accessible version)

Updated 11 March 2019

Mbani mend të drejtat tuaja ndërkohë që jeni i ndaluar

Të drejtat në këtë njoftim ju garantohen sipas ligjit në Angli dhe Uells dhe janë në pajtim Direktiva e BE-së 2012/13 për të drejtën e informacionit në procedurat penale.

Të drejtat tuaja në rajonin e policisë janë përmbledhur në këtë faqe

Ka më shumë informacion në paragrafët 1 deri 11 në faqet e mëtejshme.

Të dhënat e plota gjenden në Pjesën C të Kodit të Punës së policisë.

  1. Tregojini policisë nëse doni një avokat që t’ju ndihmojë ndërkohë që jeni në komisariatin e policisë. Ky shërbim është pa pagesë.
  2. Tregojini policisë nëse doni që të njoftohet dikush se ku jeni. Ky shërbim është pa pagesë.
  3. Tregojini policisë nëse doni të lexoni rregullat e tyre - ato quhen Kodi i Praktikës së Punës.
  4. Tregojini policisë nëse ju nevojitet ndihmë mjekësore. Tregojini policisë nëse ndiheni sëmurë ose jeni lënduar. Ndihma mjekësore është falas.
  5. Nëse ju bëhen pyetje rreth një vepre penale për të cilën dyshoheni, nuk jeni të detyruar të thoni gjë. Megjithatë, mbrojtja juaj mund të cenohet nëse kur ju pyesin për diçka nuk përmendni diçka që më vonë e deklaroni në gjykatë. Çdo gjë që thoni mund të paraqitet si dëshmi.
  6. Policia duhet t’ju informojë për veprën penale që mendon se keni kryer, arsyen pse jeni arrestuar dhe pse po mbaheni i ndaluar.
  7. Policia duhet t’ju lejojë juve ose avokatin tuaj të shikoni një kopje të procesverbalit dhe dokumenteve mbi arsyen pse jeni arrestuar dhe po mbaheni i ndaluar dhe rreth kohës së qëndrimit tuaj në komisariatin e policisë.
  8. Nëse ju duhet një përkthyes, policia duhet t’jua gjejë një të tillë. Disa prej dokumenteve mund edhe që t’ju përkthehen me shkrim. Ky shërbim është pa pagesë.
  9. Tregojini policisë nëse nuk jeni britanik dhe doni të kontaktoni ambasadën apo konsullatën tuaj ose doni që ato të njoftohen se jeni ndaluar. Ky shërbim është pa pagesë.
  10. Policia duhet t’ju tregojë se për sa kohë mund t’ju mbajë të ndaluar.
  11. Nëse ju ngrihet aktakuza dhe çështja juaj shkon në gjykatë, ju ose avokati juaj do të keni të drejtën të shikoni provat e prokurorisë përpara seancës gjyqësore.

Nëse nuk jeni të sigurt për ndonjë nga këto të drejta, pyesni oficerin e mbajtjes nën arrest

Shikoni faqet e pas përmbledhjes për më shumë informacion se si duhet t’ju trajtojë dhe të kujdeset për ju policia

Ky version i Njoftimit të të Drejtave zbatohet që nga data 21 gusht 2019

Ju lutemi mbajeni këtë informacion dhe lexojeni sa më parë që të jetë e mundur. Do t’ju ndihmojë të merrni vendime ndërkohë që jeni në komisariatin e policisë.

1. Marrja e një avokati që t’ju ndihmojë

  • Një avokat mund t’ju ndihmojë dhe t’ju këshillojë rreth ligjit.
  • Nëse kërkoni të flisni me një avokat, kjo nuk nënkupton se keni bërë ndonjë gjë të gabuar.
  • Oficeri i mbajtjes nën arrest duhet t’ju pyesë nëse doni këshillim ligjor. Ky shërbim është pa pagesë.
  • Policia duhet t’ju lejojë të flisni me një avokat në çdo kohë, ditën ose natën, kur jeni në një komisariat policie.
  • Nëse kërkoni këshillim ligjor, policia zakonisht nuk lejohet t’ju bëjë pyetje derisa ju të keni pasur mundësinë për të folur me një avokat. Kur policia ju bën pyetje, ju mund të kërkoni që në dhomë të keni një avokat.
  • Nëse i thoni policisë se nuk doni këshillim ligjor, por më pas ndërroni mendjen, thuajini oficerit të mbajtjes nën arrest i cili do t’ju ndihmojë të kontaktoni një avokat.
  • Nëse avokati nuk vjen ose nuk ju kontakton në komisariatin e policisë, ose nëse ju duhet të flisni me një avokat sërish, kërkojini policisë që ta kontaktojë përsëri.

Këshillimi ligjor falas rreth disa çështjeve më pak serioze:

  • Në disa raste që kanë të bëjnë me çështje më pak serioze, këshillimi ligjor falas është i kufizuar në këshillimin nëpërmjet telefonit prej këshilltarëve të kualifikuar nga Criminal Defence Service (CDS) Direct (Shërbimi i Mbrojtjes Penale (CDS) Drejtpërdrejt), përveç përjashtimeve të kufizuara kur një avokat duhet të vijë në komisariatin e policisë, si për shembull:
    • policia dëshiron t’ju bëjë pyetje rreth një vepre penale ose të kryejë një procedurë identifikimi nga një dëshmitar okular.
    • juve ju nevojitet ndihmë nga “një i rritur i përshtatshëm”. Shih “Personat që kanë nevojë për ndihmë”.
    • ju nuk mund të komunikoni nëpërmjet telefonit, ose
    • ju pretendoni se policia ka bërë shkelje serioze.

Kur këshillimi falas nuk është i kufizuar vetëm në këshillimin telefonik nga CDS Direct:

  • Mund të kërkoni të flisni me një avokat që njihni dhe nuk ju duhet ta paguani nëse ai punon për skemën e ndihmës juridike. Nëse nuk njihni ndonjë avokat ose avokati që njihni nuk mund të kontaktohet, mund të flisni me avokatin në detyrë. Ky shërbim është pa pagesë.
  • Avokati në detyrë nuk ka asnjë lidhje me policinë.

Për të organizuar këshillim ligjor falas:

  • Policia do të kontaktojë Qendrën Telefonike të Avokatëve Mbrojtës (DSCC). DSCC do të organizojë që t’ju jepet këshillim ligjor qoftë nga CDS Direct, nga një avokat që keni kërkuar ose nga avokati në detyrë.
  • DSCC dhe CDS Direct janë shërbime të pavarura përgjegjëse për të organizuar këshillim ligjor falas dhe nuk kanë asnjë lidhje me policinë.

Nëse doni të paguani vetë për këshillimin ligjor:

  • Në të gjitha rastet, nëse dëshironi, mund të paguani për këshillim ligjor.
  • Kur këshillimi ligjor falas është i kufizuar në këshillimin nëpërmjet telefonit nga CDS Direct, ju përsëri mund të flisni në telefon me një avokat që zgjidhni vetë nëse dëshironi, por ai nuk do të paguhet nga ndihma ligjore dhe mund t’ju kërkojë që ta paguani ju. DSCC do të kontaktojë avokatin tuaj në emrin tuaj.
  • Ju keni të drejtën të flisni privatisht në telefon me avokatin e zgjedhur nga ju ose ai mund të vendosë të vijë e t’ju takojë në komisariatin e policisë.
  • Nëse avokati që keni zgjedhur nuk mund të kontaktohet, policia mund ende të telefonojë DSCC për të organizuar këshillim ligjor falas nga avokati në detyrë.

2. Njoftimi i një personi se jeni në komisariatin e policisë

  • Mund t’i kërkoni policisë që të kontaktojë një person që duhet të dijë se jeni në komisariatin e policisë. Ky shërbim është pa pagesë.
  • Policia do ta kontaktojë personin sa më parë që të mundet.

3. Leximi i Kodeve të Punës

  • Kodet e Punës janë rregulla që ju tregojnë se çfarë mund dhe nuk mund të bëjë policia ndërkohë që ju ndodheni në komisariatin e policisë. Këto përfshijnë hollësi të të drejtave të përmbledhura në këtë Njoftim.
  • Policia do t’ju lejojë ta lexoni Kodin e Punës, por nuk mund ta bëni këtë nëse kjo e pengon policinë të zbulojë nëse ju keni shkelur ligjin.
  • Nëse doni ta lexoni Kodin e Punës, thuajini oficerit të mbajtjes nën arrest.

4. Marrja e ndihmës mjekësore nëse nuk ndiheni mirë ose jeni lënduar

  • Tregojini policisë nëse ndiheni sëmurë, ju duhen barna apo jeni lënduar. Ata do të thërrasin një mjek ose infermiere apo profesionist tjetër të kujdesit shëndetësor dhe ky shërbim është pa pagesë.
  • Mund t’ju lejohet të merrni barnat tuaja, por policisë do t’i duhet t’i kontrollojë më parë. Zakonisht si fillim do t’ju vizitojë një infermiere, por policia do të dërgojë një mjek nëse ju nevojitet një i tillë. Mund të kërkoni të vizitoheni nga një mjek tjetër, por mund t’ju duhet të paguani për këtë.

5. E drejta për të heshtur

Nëse ju bëhen pyetje rreth veprës penale për të cilën dyshoheni, nuk jeni të detyruar të thoni gjë.

Megjithatë, mbrojtja juaj mund të cenohet nëse kur ju pyesin për diçka nuk përmendni diçka që më vonë e deklaroni në gjykatë.

Çdo gjë që thoni mund të paraqitet si dëshmi.

6. Informimi rreth veprës penale që dyshoheni të keni kryer dhe informimi rreth arsyes pse jeni arrestuar dhe ndaluar

  • Policia duhet t’ju informojë rreth natyrës së veprës penale që mendon se keni kryer. Kjo përfshin kohën dhe vendin ku policia mendon se është kryer.
  • Policia duhet t’ju tregojë arsyen pse mendon se e keni kryer veprën penale dhe pse mendon se ju duhet t’ju arrestonin.
  • Në komisariatin e policisë, policia duhet t’ju tregojë arsyen pse mendon se duhet të mbaheni i ndaluar.
  • Përpara se t’ju bëhet ndonjë pyetje rreth ndonjë vepre penale, policia duhet t’ju japë juve dhe avokatit tuaj informacion të mjaftueshëm rreth çfarë mendon se keni bërë, në mënyrë që të mbroni veten, por jo në një moment që mund të dëmtojë hetimin e policisë.
  • Kjo zbatohet për çdo shkelje tjetër që policia mendon se keni kryer.

7. Shqyrtimi i procesverbalit dhe dokumenteve rreth arrestit dhe ndalimit tuaj

  • Kur ndaloheni në një komisariat policie, polica duhet:
    • Të regjistrojë në procesverbalin e arrestit arsyen dhe nevojën e arrestimit tuaj dhe arsyen pse mendon se duhet të ndaloheni.
    • T’ju lejojë juve dhe avokatin tuaj ta shikoni këtë procesverbal. Oficeri i mbajtjes nën arrest do ta organizojë këtë gjë.
  • Kjo zbatohet për çdo vepër tjetër penale që policia mendon se keni kryer.
  • Policia duhet t’ju lejojë juve ose avokatin tuaj të shihni dokumentet dhe materialet që janë thelbësore për të justifikuar ligjshmërinë e arrestit dhe ndalimit tuaj.

8. Marrja e një përkthyesi dhe përkthimet e disa dokumenteve për t’ju ndihmuar

  • Nëse nuk flisni ose nuk kuptoni anglisht, policia do të organizojë që dikush që flet gjuhën tuaj t’ju ndihmojë. Ky shërbim është pa pagesë.
  • Nëse jeni shurdh ose keni vështirësi në të folur, policia do të organizojë një përkthyes të gjuhës britanike të shenjave që t’ju ndihmojë. Ky shërbim është pa pagesë.
  • Nëse nuk flisni ose nuk kuptoni anglisht, policia do të marrë një përkthyes për t’ju treguar përse ju kanë ndaluar. Kjo duhet bërë sa herë që merret një vendim që të mbaheni nën arrest.
  • Pas çdo vendimi për t’ju mbajtur nën arrest dhe pasi t’ju jetë ngritur aktakuza për një vepër penale, policia duhet t’ju japë edhe një procesverbal në gjuhën tuaj që ju shpjegon përse jeni ndaluar dhe çdo vepër penale për të cilën ju është ngritur aktakuzë, përveçse kur ka arsye të veçanta që të mos e bëjë këtë gjë. Ato janë:
    • Nëse vendosni se nuk ju duhet procesverbali për të mbrojtur veten sepse kuptoni plotësisht se çfarë po ndodh dhe pasojat e mosmarrjes së procesverbalit dhe keni pasur mundësinë që t’i kërkoni një avokati ndihmë që të vendosni. Për këtë duhet të jepni edhe pëlqimin tuaj me shkrim.
    • Nëse për të mbrojtur veten dhe për të kuptuar plotësisht se çfarë po ndodh mjafton një përkthim me gojë ose një përmbledhje nëpërmjet një përkthyesi në vend të përkthimit me shkrim. Këtë gjë duhet ta autorizojë edhe oficeri i mbajtjes nën arrest.
  • Kur policia ju bën pyetje dhe nuk e incizon intervistën, përkthyesi do t’i mbajë shënim pyetjet dhe përgjigjet tuaja në gjuhën tuaj. Ju do mund t’i kontrolloni ato përpara se ta nënshkruani si procesverbal të saktë.
  • Nëse doni t’i paraqisni policisë një deklaratë, përkthyesi do të bëjë një kopje të kësaj deklarate në gjuhën tuaj që ta kontrolloni dhe ta nënshkruani si të saktë.
  • Gëzoni gjithashtu të drejtën që ky Njoftim t’ju përkthehet. Nëse nuk disponohet përkthim me shkrim, informacioni duhet t’ju jepet nëpërmjet një përkthyesi dhe t’ju jepet menjëherë një përkthim me shkrim.

9. Kontaktimi i ambasadës ose konsullatës tuaj

Nëse nuk jeni britanik, ju mund t’i thoni policisë se doni të kontaktoni Komisionin e Lartë, Ambasadën ose Konsullatën që t’i njoftoni se ku jeni dhe pse gjendeni në komisariatin e policisë. Ata mund edhe t’ju vizitojnë privatisht ose të organizojnë që t’ju takojë një avokat.

10. Kohëzgjatja e mundur e ndalimit

  • Ju normalisht mund të mbaheni të ndaluar deri në 24 orë pa ju ngritur aktakuza. Kjo periudhë mund të jetë më e gjatë, por vetëm nëse vepra penale mund të gjykohet nga një gjykatës dhe një juri në një gjykatë të shkallës së dytë dhe një komisar i policisë ose nëse një gjykatë e lejon që të bëhet kjo gjë. Pas 36 orësh, vetëm një gjykatë mund t’i lejojë policisë më shumë kohë që t’ju ndalojë pa ju ngritur aktakuzën.
  • Herë pas here një oficer i lartë i policisë duhet ta kontrollojë çështjen tuaj për të parë nëse ju duhet të mbaheni akoma në komisariatin e policisë. Ky quhet rishikim dhe oficeri është oficeri i shqyrtimit. Përveç rastit kur nuk jeni në gjendje të mirë shëndetësore, ju keni të drejtë të shprehni mendimin tuaj për këtë vendim me shkrim ose duke ia komunikuar oficerit të shqyrtimit personalisht ose nëpërmjet një lidhjeje televizive. Avokati juaj po ashtu ka të drejtën të japë mendimin rreth kësaj në emrin tuaj.
  • Nëse oficeri i shqyrtimit nuk ju liron, duhet t’ju tregohet arsyeja, e cila duhet të shënohet në procesverbalin e arrestit tuaj.
  • Nëse ndalimi juaj nuk është i nevojshëm, ju duhet të liroheni. Nëse policia ju thotë se dëshiron të vazhdojë hetimin e veprës penale, ju do të liroheni ose me kusht ose pa kusht. Nëse liroheni me kusht, duhet t’ju jepet një njoftim me shkrim për t’ju treguar se duhet të ktheheni në komisariatin e policisë dhe çdo kusht që mund të zbatohet për lirimin tuaj me kusht.
  • Kur policia dëshiron t’i kërkojë një gjykate zgjatjen e ndalimit tuaj:
    • Ju duhet t’ju sjellin në gjykatë për seancën, përveç rasteve kur bëhet një lidhje televizive, në mënyrë që ju të mund të shihni dhe dëgjoni njerëzit në gjykatë dhe ata të mund t’ju shohin dhe t’ju dëgjojnë juve.
    • Një lidhje televizive nuk mund të bëhet nëse oficeri i mbajtjes nën arrest nuk e konsideron të përshtatshme, nëse një avokat nuk ju ka këshilluar për përdorimin e kësaj lidhjeje dhe nëse ju nuk keni dhënë pëlqimin tuaj.
    • Duhet t’ju jepet një kopje e informacionit që informon gjykatën rreth dëshmive dhe arsyen pse policia dëshiron t’ju mbajë nën arrest.
    • Ju gëzoni të drejtën të keni një avokat me vete për seancën dëgjimore në gjykatë.
    • Policia do të lejohet t’ju mbajë nën arrest vetëm nëse gjykata beson se është e nevojshme dhe se policia po e heton çështjen tuaj me kujdes dhe pa humbur kohë.
  • Nëse policia ka dëshmi të mjaftueshme për t’ju dërguar në gjykatë, mund t’ju ngrihet aktakuza në komisariatin e policisë ose nëpërmjet postës, që të paraqiteni përpara gjykatës.

11. Aksesi te dëshmitë nëse çështja juaj shkon në gjykatë

Nëse ju është ngritur aktakuza për një vepër penale, ju ose avokati juaj duhet të lejoheni të shikoni dëshmitë kundër jush, si dhe dëshmitë që mund ta ndihmojë mbrojtjen tuaj. Kjo duhet bërë përpara se të fillojë gjyqi juaj. Policia dhe Shërbimi i Prokurorisë së Mbretërisë duhet ta organizojnë këtë dhe t’ju japë akses në dokumentet dhe materialet përkatëse.

Gjëra të tjera që duhet të dini rreth qëndrimit në një komisariat policie

Si duhet të trajtoheni dhe si duhet të kujdesen për ju

Këto shënime ju tregojnë se çfarë mund të prisni ndërkohë që mbaheni në komisariatin e policisë. Për më shumë informacion, kërkoni të shikoni Kodin e Punës. Në të është përfshirë një listë se ku mund të gjeni më shumë informacion rreth secilës prej këtyre gjërave. Pyesni oficerin e mbajtjes nën arrest nëse keni ndonjë pyetje.

Personat që kanë nevojë për ndihmë

  • Nëse jeni nën 18 vjeç ose jeni të cenueshëm, për shembull nëse keni vështirësi në të nxënë ose probleme të shëndetit mendor, atëherë gëzoni të drejtën që të keni një person me vete kur policia bën disa gjëra. Ky person quhet “i rrituri i përshtatshëm” dhe atij do t’i jepet një kopje e këtij Njoftimi.

  • I rrituri i përshtatshëm do t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë po ndodh dhe do të kujdeset për interesat tuaja. Ai duhet të jetë me ju kur policia ju tregon për të drejtat tuaja dhe ju tregon arsyen pse po mbaheni në komisariatin e policisë. Ai duhet të jetë me ju edhe kur policia ju lexon paralajmërimin e policisë.
  • I rrituri i përshtatshëm mund të kërkojë edhe një avokat në emrin tuaj.
  • Ju mund të flisni me avokatin tuaj pa të rriturin e përshtatshëm në dhomë nëse dëshironi.
  • Policisë mund t’i duhet të bëjë edhe një nga gjërat në listën e mëposhtme ndërkohë që gjendeni në komisariatin e policisë. Përveç rasteve kur ku arsye të veçanta, i rrituri i përshtatshëm duhet të jetë me ju gjatë gjithë kohës nëse policia bën ndonjë nga këto gjëra:
    • Ju interviston ose ju kërkon të nënshkruani një deklaratë me shkrim ose shënimet e policisë.
    • Ju heq më shumë se veshjet e sipërme për t’ju kontrolluar.
    • Ju merr shenjat e gishtërinjve, ju bën fotografi ose ju merr ADN-në ose një kampion tjetër.
    • Bën ndonjë gjë në lidhje me një procedurë identifikimi të dëshmitarit.
  • Të rriturit të përshtatshëm duhet t’i jepet një mundësi që të jetë i pranishëm personalisht ose në telefon për t’ju ndihmuar kur policia shqyrton çështjen tuaj për të parë nëse duhet të ndaloheni më gjatë.
  • Nëse i rrituri i përshtatshëm është i disponueshëm, ai duhet të jenë të pranishëm kur policia ju ngre aktakuzën për një vepër penale.

Marrja e të dhënave për kohën tuaj në komisariatin e policisë

  • Çdo gjë që ju ndodh gjatë kohës që jeni në komisariatin e policisë regjistrohet. Kjo gjë quhet procesverbali i arrestit.
  • Kur largoheni nga komisariati i policisë, ju, avokati juaj ose i rrituri i përshtatshëm mund të kërkoni një kopje të procesverbalit të arrestit. Policia duhet t’ju japë një kopje të procesverbalit të arrestit tuaj sa më parë që të mundet.
  • Mund t’i kërkoni policisë një kopje të procesverbalit të arrestit tuaj deri 12 muaj pasi të jeni larguar nga komisariati i policisë.

Mbajtja në kontakt

  • Përveç bisedës me një avokat dhe njoftimit të një personi për arrestimin tuaj, zakonisht do t’ju lejohet të bëni një telefonatë.
  • Kërkojini policisë nëse doni të bëni një telefonatë.
  • Mund të kërkoni dhe laps e letër.
  • Ju mund të jeni në gjendje të prisni vizitorë, por oficeri i mbajtjes nën arrest mund ta refuzojë këtë gjë.

Qelia juaj

  • Nëse është e mundur, ju duhet të mbaheni në një qeli vetëm.
  • Ajo duhet të jetë e pastër, e ngrohtë dhe me dritë.
  • Shtrojat tuaja duhet të jenë të pastra dhe të rregullta.
  • Duhet të lejoheni të përdorni banjën dhe të laheni.

Nevojat personale - shëndeti, higjiena dhe mirëqenia

  • Ju duhet të pyeteni nëse dëshironi të flisni privatisht me një anëtar të personelit të paraburgimit për çdo nevojë personale që lidhet me shëndetin, higjienën dhe mirëqenien tuaj që mund të ndikojë mbi ju ose t’ju shqetësojë gjatë kohës që jeni në paraburgim.
  • Policia do të organizojë që të sigurohen produktet që konsiderohen të nevojshme për të përmbushur nevojat tuaja. Nëse dëshironi, personi me të cilin flisni mund të jetë i të njëjtës gjini si ju.
  • Nëse jeni një femër e moshës 18 vjeç e lart, duhet të pyeteni nëse keni nevojë ose keni të ngjarë t’ju duhen produkte sanitare gjatë kohës që jeni në paraburgim dhe duhet t’ju thuhet se:
    • produktet do të ofrohen pa pagesë;
    • disponohen produkte zëvendësuese; dhe
    • produktet mund të ofrohen nga familja ose miqtë tuaj me shpenzimet e tyre nëse oficeri i paraburgimit bie dakord.
  • Nëse jeni një vajzë nën 18 vjeç, oficeri i ndalimit do të sigurojë që një grua në komisariat të jetë në dispozicion për t’u kujdesur për ju dhe për t’ju pyetur në lidhje me nevojat tuaja personale dhe produktet e higjienës personale.

Veshjet

Nëse rrobat tuaja ju janë marrë, atëherë policia duhet t’ju japë veshje të tjera alternative.

Ushqimi dhe pijet

Duhet t’ju ofrohen 3 vakte në ditë me lëngje. Ju gjithashtu mund të pini lëngje midis vakteve.

Ushtrimi

Nëse është e mundur, duhet të lejoheni të dilni jashtë çdo ditë për ajër të pastër.

Kur policia ju merr në pyetje

  • Dhoma duhet të jetë e pastër, e ngrohtë dhe me dritë.
  • Nuk duhet të qëndroni medoemos në këmbë.
  • Oficerët e policisë duhet t’ju tregojnë emrin dhe gradën e tyre.
  • Ju duhet të bëni pushim në kohën e zakonshme të vakteve të ngrënies dhe një pushim për të pirë diçka pas rreth dy orësh.
  • Ju duhet t’ju lejohet të paktën 8 orë pushim çdo 24 orë që jeni nën arrest.

Nevojat fetare

Tregojini policisë nëse ju duhet ndonjë gjë për t’ju ndihmuar të praktikoni besimin tuaj fetar ndërkohë që jeni në komisariatin e policisë. Mund t‘ju japin libra dhe sende të tjera fetare, sipas nevojës.

Rastet kur rregullat normale janë të ndryshme

Marrja e një avokati për t’ju ndihmuar

Ka disa raste të veçanta kur policia ka nevojë urgjente t’ju bëjë pyetje përpara se ju të keni folur me një avokat. Informacioni rreth këtyre rasteve të veçanta është dhënë në Kodin e Punës. Aty përcaktohet se çfarë mund ose nuk mund të bëjë policia kur ju jeni në komisariatin e policisë. Nëse doni të shikoni detajet, ato janë në paragrafin 6.6 të Pjesës C të Kodit të Punës.

Ka një rast të veçantë kur policia nuk do t’ju lejojë të flisni me avokatin që keni zgjedhur. Nëse kjo gjë ndodh, ju duhet të lejoheni të zgjidhni një avokat tjetër. Nëse doni të shikoni hollësitë, ato janë në Shtojcën B të Pjesës C të Kodit të Punës.

Njoftimi i një personi se jeni në komisariatin e policisë

Ka disa raste të veçanta kur policia nuk do t’ju lejojë të kontaktoni askënd. Informacioni rreth këtyre rasteve të veçanta është dhënë në Kodin e Punës. Nëse doni të shikoni hollësitë, ato janë në Shtojcën B të Pjesës C të Kodit të Punës.

Shkeljet si pasojë e drejtimit të automjetit nën efektin e alkoolit dhe drogës

Nëse jenë nën arrest për shkak të një vepre penale si pasojë e drejtimit të automjetit nën efektin e alkoolit apo drogës, ju keni të drejtën të flisni me një avokat. Kjo e drejtë nuk do të thotë se mund të refuzoni t’i jepni policisë kampione të frymës, gjakut ose urinës edhe nëse ju nuk keni folur ende me avokatin.

Ndalimi sipas ligjit për shëndetin mendor të vitit 1983

Policia mund t’ju ndalojë në një komisariatin e policisë edhe për vlerësim sipas ligjit për shëndetin mendor nëse jeni 18 vjeç e lart dhe kur ekziston rreziku që sjellja juaj do të shkaktojë lëndimin serioz ose vdekjen tuaj ose të të tjerëve, e nuk mund të pritet në mënyrë të arsyeshme që të ndaloheni askund tjetër. Ndalimi sipas ligjit për shëndetin mendor nuk do të thotë se jeni arrestuar për një vepër penale.

Do të thotë se policia duhet të organizojë që ju të vizitoheni nga mjek dhe një profesionist i aprovuar i shëndetit mendor i kualifikuar për të bërë vlerësimin. Ju duhet të vlerësoheni brenda 24 orësh pas ardhjes ose pasi jeni ndaluar në komisariatin e policisë, por do të bëhen përpjekje që kjo të organizohet sa më parë që të jetë e mundur. Në një komisariat të policisë, periudha e ndalimit prej 24 orësh për vlerësimin mund të zgjatet me 12 orë të tjera nëse një mjek e konsideron të nevojshme dhe nëse kjo miratohet nga një oficer i lartë. Gjatë kësaj kohe policia mund t’ju transferojë në një vend më të përshtatshëm për të mundësuar kryerjen e vlerësimit.

Ndërkohë që prisni të vlerësoheni, policia mund të organizojë që ju të vizitoheni nga një mjek i miratuar i kujdesit shëndetësor. Ai nuk mund ta bëjë vlerësimin, por do t’ju ndihmojë me shqetësime të tjera shëndetësore që mund të keni dhe do t’ju ndihmojë duke ju shpjeguar se çfarë është vlerësimi.

Vizitorët e pavarur të mbajtjes nën arrest

Ka pjesëtarë të komunitetit të cilëve u lejohet të vizitojnë komisariatet e policisë pa njoftuar. Ata njihen si vizitorë të pavarur të mbajtjes nën arrest dhe punojnë vullnetarisht për t’u siguruar që personat e ndaluar të trajtohen siç duhet dhe t’i dinë të drejtat e tyre.

Nuk keni të drejtën të takoheni me një vizitor të pavarur të mbajtjes nën arrest ose t’u kërkoni që t’ju vizitojnë, por një vizitor mund të kërkojë që të takohet me ju.

Nëse një vizitor i pavarur i mbajtjes nën arrest ju viziton ndërkohë që jeni nën arrest, ai do të veprojnë në mënyrë të pavarur nga policia për të kontrolluar se mirëqenia dhe të drejtat tuaja janë mbrojtur. Megjithatë, ju nuk jeni të detyruar të flisni me të nëse nuk dëshironi.

Si të bëni një ankesë

Nëse doni të ankoheni rreth mënyrës se si ju kanë trajtuar, kërkoni të flisni me një oficer policie që është inspektor ose ka gradë më të lartë. Pasi të liroheni, ju po ashtu mund të bëni një ankesë në çdo komisariat policie, drejtuar Zyrës së

Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC) ose nëpërmjet një avokati apo anëtarit tuaj të parlamentit në emrin tuaj.