Ambasadori Britanik në Shqipëri, Nicholas Cannon foli gjatë një konference mbi financimin e arsimit të lartë.
Konferenca synoi sjelljen e modelit Britanik në çështjet që lidhen me financimin e institucioneve të arsimit të lartë.
Jam mirënjohës që m’u dha mundësia të them disa fjalë në mbështetje të reformës së arsimit të lartë. Për mua kjo është një nga historitë e suksesit të kësaj qeverie, që ka potencial të nxisë suksese të mëtejshme. Reforma e arsimit të lartë, së bashku me arsimin profesional i përgjigjen nevojave ekonomike të vendit dhe kërkesave të publikut. Shqiptarët i kushtojnë shumë rëndësi arsimit. Familjet e varfëra janë të gatshme të paguajnë para të fituara me shumë mundim, në mënyrë që t’i dërgojnë fëmijët në universitet. Debatet rreth kësaj reforme në shtyp ose në parlament kanë qenë të mirinformuara dhe të sofistikuara.
Përvoja e mëparshme me shtimin e institucioneve private të arsimit, për fat të keq, çoi në fenomenin e “universiteteve kioska”. Ministrja aktuale e Arsimit me të drejtë e identifikoi mbylljen e tyre si prioritetin e saj kryesor në arsimin e lartë. Kjo është pasuar nga një prirje e qëndrueshme për përmirësimin e standardeve të cilësisë si në sektorin privat të arsimit ashtu edhe atë publik. Jam i lumtur që Agjencia Britanike për Garantimin e Cilësisë ka mundur ta ndihmojë Ministrinë e Arsimit në këtë proces.
Ligji mbi Arsimin e Lartë ishte arritja më e madhe legjislative gjatë vitit të dytë të qeverisjes aktuale, ashtu siç ishte reforma për qeverisjen vendore në vitin e parë, dhe ashtu siç shpresoj të jetë reforma në drejtësi këtë vit të tretë. Ligji garanton një ndryshim rrënjësor të parimeve të arsimit të lartë, të institucioneve arsimore dhe qeverisjes në universitete. Më vjen mirë që partnerët britanikë kanë patur mundësinë të ofrojnë këshillim mbi tre nga institucionet e reja të krijuara: Agjencia për Garantimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe Agjencia Kombëtare për Financimin e Arsimit të Lartë. Ne shpresojmë të punojmë me këto institucione teksa ato zhvillohen. Janë institucionet e forta ato që do të zbatojnë programin e reformave.
Natyrisht ne nuk po mundohemi të imponojmë një “model britanik” në universitetet shqiptare. Ne duam të shohim një “model shqiptar” të reflektojë nevojat e vendit. Por ne besojmë se ekspertiza dhe përvoja jonë mund të jenë të vlefshme në procesin e reformave. Refoma e universiteteve në Mbretërinë e Bashkuar ka qenë e vështirë, me shumë suksese dhe disa dështime: ne besojmë se zyrtarët shqiptarë në fushën e arsimit dhe akademikët mund të nxjerrin mësime interesante qoftë nga sukseset, qoftë nga dështimet.
Por reforma e arsimit të lartë nuk mund të jetë një process që imponohet e drejtohet nga lart, prej Ministrisë së Arsimit. Administratorët e universiteteve dhe akademikët duhet të luajnë rolin e tyre për të përfituar sa më shumë nga strukturat e reja të qeverisjes. Ligji mbi Arsimin e Lartë i krijon mundësi vetë universiteteve ta zgjerojnë pavarësinë e tyre dhe të ndërmarrin nismat e veta. Disa universitete shqiptare kanë çuar tashmë delegacionet e tyre në Mbretërinë e Bashkuar për të parë modelet e ndryshme të qeverisjes së brendshme dhe marrëdhëniet mes universiteteve, Ministrisë së Arsimit, institucioneve në sektorin e arsimit të lartë dhe një brezi të ri e më kërkues studentësh. Ekipi ynë i British Council është i gatshëm t’i zhvillojë më tej këto aktivitete. Procesi i reformës mund të jetë një dialog ndërmjet qeverisë, ekspertëve, akademikëve dhe studentëve.
Përse Britania, përmes ambasadës sonë dhe British Council po mbështesin reformën e arsimit të lartë në Shqipëri? Së pari, sepse ne mendojmë se është mirë për Shqipërinë, një vend i vogël por më një rini dinamike gjithnjë në kërkim të mundësive kulturore dhe ekonomike. Një sektor i reformuar arsimor do ta ndihmojë vendin të zhvillojë potencialin e vet ekonomik. Do ta bëjë Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar, punuar dhe studiuar. Së dyti, afrimi i Shqipërisë pranë standardeve evropiane do të kontribuojë në shpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Së treti, do të garantojë modele që mund të zbatohen lehtësisht në rajon, veçanërisht në Kosovë. Dhe së fundmi, ky është një process i mirë për Britaninë gjithashtu. Ekspertët tanë fitojnë përvoja të reja në një ambjent të ri, punojnë me partnerë dhe institucione të reja, angazhohen me botën akademike shqiptare. Ata mësojnë këtu gjëra të reja që mund të zbatohen edhe në Britani. Unë ndjehem krenar që Ministria ka zgjedhur Mbretërinë e Bashkuar si partner në këtë reformë të rëndësishme. Dua t’ju siguroj mbi mbështetjen tonë të vazhdueshme teksa e çoni përpara këtë proces.