Kjo stërvitje shënon fillimin e dislokimit vjetor të Grupit Operacional të Reagimit, grup i cili përfshin më shumë se 3000 burra dhe gra
Fjala e Kolonel Kevin Oliver – Zv/Komandanti i Brigadës së 3-të Komando të Royal Marines gjatë konferencës për shtyp "Luani Shqiptar 2013"
Mirëdita,
Zoti Gjeneral, Ambasador, Zonja dhe Zotërinj
Sapo asistuam në mbërritjen në Shqipëri të dy avionëve reaktivë të Forcave Ajrore Mbretërore – të parat mjete ushtarake domethënëse që vijnë në Shqipëri për stërvitjen Luani Shqiptar e cila ka në përbërje Forca Britanike, Shqiptare dhe Hollandeze. Por pritet shumë më tepër se kaq. 10 anije të Marinës Mbretërore janë duke lundruar nëpër Mesdhe - përfshi edhe oficerë shqiptare në bord të angazhuar me planifikimin e stërvitjes, në pritje të zbarkojnë më shumë se 1000 trupa komando britanike rreth zonës së Vlorës përgjatë javës në vazhdim. Në terren kemi skuadra të rikonjicionit të cilat mundësojnë kryerjen e veprimeve. Eksperiencat e fituara nga stërvitjet e viteve të fundit mundësuan një rritje të kontributit tonë me një pjesëmarrje akoma më të madhe e cila përfshin avionë reaktivë, helikopterë, anije luftarake dhe transportues të blinduar trupash për manovra tokësore dhe mbrojtje të personelit. Kjo stërvitje shënon fillimin e dislokimit vjetor të Grupit Operacional të Reagimit, grup i cili përfshin më shumë se 3000 burra dhe gra, në Mesdhe dhe përgjatë kanalit të Suezit dhe Lindjes së Mesme. Kemi kënaqësinë që së pari të jemi këtu, së bashku me aleatët tonë Shqiptarë të NATO-s për të tretin vit rradhazi.
Roli im është ai i Drejtuesit të Stërvitjes, dhe pas zbarkimeve në Vlorë dhe në ishullin e Sazanit do të zhvendosemi drejt Kuçovës dhe akoma më tej, drejt zonës së bukur malore rreth Bizës, zonë ku edhe kemi ndërmarrë stërvitje përgjatë vitit. Së bashku me repartin e Zall-Herrit, Shqipëria ka disa nga zonat absolutisht më të mira stërvitore të përdorura ndonjëherë nga Grupi Operacional dhe do të kërkoja paraprakisht ndjesë nëqoftëse prania jonë në plazhe apo rrugë do të jetë shqetësim për ndokënd. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për përdorimin e tyre dhe për mundësinë e bashkëpunimit me Forcat e Armatosura Shqiptare, teksa shkëmbejmë eksperiencat tona operacionale.
Unë shpresoj shumë ta vazhdojmë këtë eksperiencë stërvitore edhe vitin që vjen, me më shumë planifikim të përbashkët, sepse në të ardhmen e afërt jemi të interesuar për bashkëpunim me Forcat Shqiptare edhe në operacione jashtë kufinjve.
Ju faleminderit